Braziliani u bë një prej blerjeve të para të erës së dytë të presidentit të Real Madridit, Perez
Rikardo Izekson dos Santos Leite, i njohur më mirë si Kakà, e zhvilloi karrierën e nisjes përmes ekipeve të moshave në Sao Paulo, duke pas jetuar në qarkun e Morumbit të qytetit, ku klubi ka selinë e tij, që nga mosha 7‑vjeçare. Përkatësia sociale e familjes së tij në klasën e mesme bëri që ai të mos bënte pjesë në atë të shumicës së shokëve të skuadrës, që jetonin në rrethinat më të varfëra të metropolit brazilian. Shokët e tij gazmorë, shkonin te shtëpia e Kakàsë, pas seancave stërvitore të përditshme për të luajtur me videogame dhe për të ngrënë kekrat e mama Simona Kristinës.
Pasi nënshkroi kontratën e parë, në moshën 15‑vjeçare, Kakà bëri debutimin me të rriturit më 2 shkurt 2001, duke pushtuar kryetitujt e mediave një muaj më vonë. Më 7 mars, Sao Paolo luante kundër Botafogos në finalen e “Torneio Rio‑Sao Paulo”, një kompeticion, të cilin nuk e kishin fituar asnjëherë “Trengjyrëshit Paolista”. Sao Paolo ndodhej një gol në disavantazh, atëhere kur trajneri Osvaldo Alvarez, vendosi të aktivizonte Kakànë nga stoli, në minutën e 14‑të të pjesës së dytë. Skeptikët e zakonshëm, mes tyre edhe disa komentatorë u shtangën nga vendimi për të aktivizuar “një rezervë të skuadrës së të rinjve”.
Kakà shënoi dy herë, vetëm në më pak se dy minuta nga hyrja në fushë, duke sjellë trofeun në Morumbi për herë të parë në historinë e klubit. Sidoqoftë loja dhe rendimenti i tij mjaftuan për t’i siguruar një vend të qëndrueshëm titullari në skuadrën e parë. Pas një periudhe kalimtare, Kakàja zëvendësohet vetëm pas 39 minutave lojë në çerekfinalen kundër Atletiko Paranaense. Përsëri disa nga kryemjeshtrat e futbollit dhe komentatorë deklaronin se “është e këndshme ta shohësh tek luan, por ai nuk mund të luajë ndeshje të rëndësishme”.
Shumë i ri në 2002-in
Sidoqoftë ai vazhdoi në rrugën e tij, duke shënuar 12 gola në 27 ndeshje. Aftësitë e mrekullueshme futbollistike të Kakàsë nuk vonuan dhe arsyeshëm tërhoqën vëmendjen e klubeve më të rëndësishëm evropiane dhe jo vetëm. Kakà bën pjesë në përfaqësuesen braziliane, që fitoi botërorin e pestë për Brazilin në Kore‑Japoni 2002. Sidoqoftë Kakà luan vetëm 17 minuta në ndeshjen e grupit kundër Kosta Rikës.
Lulëzimi i Kakàsë
Milani arriti të bëjë të tijin mesfushorin sulmues në verën e 2003-it për vetëm 7.3 milionë euro pavarësisht se kuqezinjtë, në fillim kishin rënë në një mendje ta linin Kakànë në Brazil deri në 2004-ën, por në të vërtet e tërhoqën në “San Siro” menjëherë, kjo nga frika se mos klube të tjerë ishin të gatshëm të turreshin dhe ta rrëmbenin nga Kryeqyteti Europian i Modës.
Drejtuesit e “Djallit” milanez prisnin nga ai që vetëm të ofronte mbështetje për Manuel Rui Kostën në sezonin e tij debutues në Itali. Kakà iu përgjigj me një ndeshje mbresëlënëse në atë fitore 2‑0 jashtë me Ankonën më 1 shtator dhe vazhdoi derisa e detyroi yllin portugez të mos ishte titullar i qëndrueshëm në 11‑in bazë. Kakà shënoi 4 gola në Ligën e Kampionëve atë sezon, shto edhe 10 gola në 30 ndeshje në Serie A, po atë sezon, duke e ndihmuar shumë Milanin të fitonte titullin e tij të 17‑të.
Leksione nga të moshuarit
Në vitin e tij të dytë, në fillim ai bëlbëzon me probleme fizike dhe përsëri truhollët e futbollit në Itali nisën komentet tipike. Sidoqoftë, Kakà i detyroi të hanë fjalët e tyre në pjesën e dytë të sezonit, duke dhënë një ndihmesë të pamatë në atë kompeticion të vitit për Milanin, që së fundi përfundoi me atë fitore të paharrueshme të Liverpulit në Stamboll. Në Serie A Milani u rendit i dyti, teksa Kakà shënoi 7 gola në 36 ndeshje.
“Kuqezinjë” e mbyllën sezonin 2005‑06, duarbosh, por Kakàja po i drejtohej kulmimeve, duke shënuar një prej golave më të bukur në ndeshjen e grupit të Ligës së Kampionëve kundër Fenerbahçes. Ai e nisi turrin e tij nga mesfusha, dribloi duke rrëshqitur me top anash tre mbrojtësve, para se ta kalonte topin anash portierit të pafajshëm turk brenda vijës fatale.
Sezoni 2006‑07 filloi me oguret më të mira dhe Kakà shënoi një tregolash në fitoren 4‑1 kundë Anderlehtit në Ligën e Kampionëve. Ndërkohë titulli i kampionit të Serie A ishte siguruar nga Interi në një kohë rekord, kësisoj djemtë e Karlo Ançelotit i përqëndruan përpjekjet e tyre në Ligën e Kampionëve. Braziliani arriti të thyente rezistencën e Sëlltikut në kohën shtesë në ndeshjen e kthimit në fazën 1/16, para se të “fshihte” një 11‑metërsh kundër Bajern Mynihut në çerekfinale.
Kryevepra e Kakàsë u formësua në gjysëmfinale, ku thuajse i vetëm nënshtroi Mançester Junajtid, duke shënuar dy gola të paharrueshëm në “Old Trafford” dhe duke hapur avantazhin në atë natë me shi në “San Siro”. Milani i tij, kësisoj po i drejtohej një përsëritjeje të finales të Ligës së Kampionëve me Liverpulin në Athinë. Kakà në atë finale ofroi një prej asisteve më të bukur e vrastarë, teksa Filipo Inzagi shënoi golin e nokautit dhe 2‑0 për Milanin në 82′. Milani fitonte titullin e shtatë në këtë kompeticion europian. Siç pritej nga të gjithë, kabinetin vetiak të Kakàsë e zbukuruan me plot meritë “Topi i Artë” dhe “Futbollisti FIFA i Vitit”.
Kakà, një ikonë kremton shkatërrimin e Mançester Junajtid
“Shenjtroi” i një epoke të re
Kakà ishte në qendër të një sage njëjavore transferimi në 2009, kur Milani mori një ofertë “të çmendur” nga Mançester Siti, që sapo ishte bërë klubi më i pasur në botë. Pas shumë mëdyshjeve ai e refuzoi lëvizjen në pjesën tjetër të Mançesterit, duke u shprehur se “dëgjoi zërin e zemrës”. Me shumë gjasa ai po kështu dëgjoi edhe zërin e Milanit dhe pronarit të tij, Silvio Berluskoni.
Gjërat ndryshuan me shpejtësi në fund të sezonit të Serie A, kur Florentino Perez, u rikthye në krye të Realit të Madridit për të rifilluar filozofinë e “Galacticos‑2″. Kakà ishte emri më i parë në listën e dëshirave dhe premtimeve të tij. “Ne nuk ia kemi ngenë të humbasim çdo vit 70 milionë euro”, shpjegoi Berluskoni. Ky ishte fillimi dhe fundi i transferimit të Kakàsë.
Perezi, me pamje triumfatori, deklaroi se Kakàja ishte vetëm fillimi. Kristiano Ronaldo vinte objektivi i radhës, pak orë para se të zyrtarizohej transferimi. Sidoqoftë kërshëria dhe drithërimat rreth Kakàsë mbeteshin të prekshme, gjatë të gjithë 7 qershorit, kur më së fundi, në Resife të Brazilit transferimi mori formën e plotë zyrtare.
Real Madridi ka mbështetur shpresa të pakufishme tek 27-vjeçari, me të në ballë të Erës së Re të “Galactikos”, duke dëshiruar me forcë rivendosjen e mbizotërimit të tyre si në La Liga ashtu edhe në Europë. Nga ana tjetër transferimi, Milanit mund t’i shërbejë, me shumë gjasa, që me paratë e marra nga shitja e Kakàsë të rinojë skuadrën tashmë të plakur, duke i sjellë kuqezinjve limfën e re në gjakun e tyre.
TITUJ
Sao Paulo
Copa Sao Paulo de Juniores: 2000
Torneio Rio‑Sao Paulo: 2001
Super Campeonato Paulista: 2002
Milan
Serie A: 2004
Italian Super Cup: 2004
UEFA Champions League: 2007
UEFA Super Cup: 2007
FIFA Club Ëorld Cup: 2007
Internacionale
FIFA Botërori: 2002
FIFA Kupa e Konfederatave: 2005
Individualë
Revista Placar Bola de Ouro: 2002
Campeonato Brasileiro Bola de Prata (futbollisti më i mirë në pozicion): 2002
CONCACAF XI Më i Miri i Kupës së Artë: 2003
Serie A Futbollisti i Huaj i Vitit: 2004, 2006, 2007
Serie A Futbollisti i Vitit: 2004, 2007
UEFA shënuesi i tretë në Ligën e Kampionëve: 2005/2006
UEFA mesfushori më i mirë i Ligës së Kampionëve: 2005
UEFA Skuadra e Vitit: 2006, 2007
FIFPro XI i Botës: 2006, 2007, 2008
UEFA Shënuesi më i mirë i Ligës së Kampionëve: 2006-07
UEFA Futbollisti i Klubit: 2007
FIFPro Futbollisti i Botës: 2007
Topi i Artë: 2007
FIFA Topi i Artë i Klubit Botëror: 2007
Çmimi Toyota : 2007
FIFA Futbollisti i Vitit: 2007
11-i e Artë: 2007
IFFHS Organizatori më i mirë i botës: 2007
IAAF Sportisti Latin i Vitit: 2007
“Time 100″: 2008
“Time 100″: 2009
” Maracan”‑Salla e Lavdisë: 2008
Samba e Artë: 2008
FIFA Skuadra e Vitit: 2008